8-vjeçarja refuzon një pasuri diamantësh me vlerë 61 milion Dollarë për t’u bërë murgeshë
Një vajzë tetë vjeçare në Indi, e cila do të trashëgonte një pasuri diamanti prej shumë milionë dollarësh, ka vendosur të bëhet murgeshë duke hequr dorë nga kënaqësitë e kësaj bote.
Devanshi Sanghvi ishte, deri këtë javë, një trashëgimtare e biznesit të bizhuterive Sanghvi and Sons në qytetin perëndimor të Surat, i njohur në vend si Diamond City për rëndësinë e tij në tregtinë globale të gurëve të çmuar.
Familja e saj janë gjithashtu anëtarë të besimit xhain, një fe e vogël por e lashtë indiane që predikon jo dhunën, vegjetarianizmin dhe dashurinë për të gjitha krijesat.
Këtë javë, u organizua një ceremoni katër-ditore për profesionin e saj të ri, gjatë së cilës ajo hipi në një karrocë të tërhequr nga një elefant, sipas fotografive të shpërndara në mediat lokale.
Të mërkurën, ajo mbërriti në një tempull për të shkëmbyer rrobat e saj të përpunuara me një veshje të thjeshtë të bardhë pambuku dhe preu flokët.
“Devanshi nuk ka parë kurrë televizor, filma apo nuk ka shkuar në qendra tregtare dhe restorante,” tha një dëshmitar i ceremonisë, duke shtuar se vajza kishte qenë e pranishme rregullisht në ceremonitë e tempullit.
Fëmija është një nga njerëzit më të rinj që ka marrë marrë titullin “diksha” duke braktisur pasurinë që i takon.
Prindërit e Devanshi thanë se ajo kishte dëshirë gjithmonë të bëhej murgeshë, sipas mediave lokale. Nganjëherë thuhet se familjet xhainiste inkurajojnë fëmijët e tyre të hyjnë në urdhra fetarë për të rritur pozitën shoqërore të të afërmve të tyre.
Biznesi i familjes së saj, i themeluar në vitin 1981, ka një vlerë neto prej 5 miliardë rupi (61 milion dollarë) sipas ICRA, një agjenci indiane e vlerësimit të kredisë.
Xhainizmi ka më shumë se 4 milionë ndjekës në Indi, shumë prej tyre, si familja e Devanshit, nga komunitete të pasura tregtare.
Ndjekësit i përmbahen një diete të rreptë vegjetariane dhe disa murgj dhe murgesha mbulojnë gojën me pëlhurë për t’i parandaluar ata të gëlltisin aksidentalisht insektet.
Feja është kritikuar për disa nga praktikat e saj rituale, veçanërisht për një traditë të agjërimeve ekstreme deri në vdekje.
Një vajzë 13-vjeçare në Hyderabad ra në koma dhe vdiq në vitin 2016 teksa po ndërmerrte një agjërim dy mujor si akt pendimi, gjatë të cilit ajo lejohej të pinte ujë të ngrohtë vetëm dy herë në ditë.
Prindërit e saj u akuzuan nga policia për vrasje dhe ishin subjekt i zemërimit të publikut mbi pretendimet se familja e kishte detyruar atë të agjëronte.