Lajme

26-vjeçari godet me grushta policin në Fier, efektivi e plagos me armë

Një 26-vjeçar u plagos me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të enjteje në qytetin e Fierit. Ai u qëllua nga një efektiv policie, pasi i riu e kundërshtoi dhe e sulmoi fizikisht atë. Burime zyrtare të policisë sqarojnë se 26-vjeçari me iniciale D.B u konfliktua me efektivët pasi tentoi të futet në rrugën e bllokuar nga policia për shkak të një koncerti që po zhvillohej në qendër.

“Rreth orës 19:20, në vendin e quajtur “Ish globi”, në qendër të qytetit të planizuar me shërbim, shërbimet e Policisë kishin bllokuar një segment rrugor për zhvillimin e një koncerti. Shtetasi D. B, 26 vjeç duke drejtuar një automjet tip “Volkswagen” është afruar te punonjësit e Policisë dhe ka tentuar të futet në rrugën e bllokuar. Punonjësit e Policisë nuk e kanë lejuar të futet brenda perimetrit të sigurisë dhe në atë momentet shtetasi D. B.,  ka dalë nga automjeti dhe ka qëlluar me grushte në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në gojë. Inspektor Sh. J., në kushtet e vetëmbrojtjes ka qëlluar me armën e shërbimit duke e plagosur në këmbë shtetasin D. B.”