Tragjike /Vdekja e çiftit në Junik, deklarohet Prokuroria: Janë disa pista hetimore
Dita e sotme ishte e kobshme për familjen Tofaj nga Juniku. Pronari i fabrikës “Juniku”, Mic Tofaj dhe bashkëshortja e tij u gjetën të vdekur në një shtëpi banimi në bjeshkët e Junikut, në rrethana akoma të paqarta, raporton Gazeta Sinjali.
Për rastin në fjalë, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi tha për Gazetën Sinjali se janë disa pista hetimore ku po kryen ekzaminimet e nevojshme.
“Jemi njoftuar nga Policia e Kosovës mesditën e sotme. Prokurori kujdestar i departamentit të krimeve rënda së bashku me Policinë e Kosovës menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Janë disa pista hetimore dhe po kryhen ekzaminimet e nevojshme”, ka thënë Nikqi për Sinjalin.
Vdekjen e çiftit e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa sipas informacioneve të para, shakatar dyshohet të ketë qenë rryma.
“Sot rreth orës 11:30, stacioni policor në Junik është njoftuar se në Bjeshkët e Junikut dy persona kanë vdekur. Njësitet kompetente menjëherë janë nisur në atë drejtim bashkë me mjekun kujdestar. Me të arritur kanë hasur në dy viktima. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Dyshohet se shkaktar ka qenë energjia elektrike”, kanë thënë nga Policia për Sinjalin.