“T’i mbyllësh gojën liderit të opozitës, jashtë normales”, Lubonja: Në 2024-ën do të ketë përshpejtim të së keqes
Analisti Fatos Lubonja përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, si edhe parashtroi parashikimin e tij për këto të fundit në vitin 2024.
Lubonja u shpreh se kufizimi i komunikimit për ish-kryeministrin Sali Berisha, tanimë në arrest shtëpiak, është diçka që kalon kufijtë e normales.
Sipas tij në vitin 2024 do të ketë një “përshpejtim të së keqes”, duke iu referuar cenimit të demokracisë, lirisë dhe dinjitetit të njeriut në vend.
“Unë shoh historinë të kthyer mbrapsht, t’i mbyllësh gojën një lideri të opozitës, përveç izolimit, kjo kalon gjithë kufijtë e normales. Unë mendoj se Berisha do tërhiqej pak nga pak, por e ringjallën me këtë problem që e motivoi edhe personalisht. Këtë ma ka thënë ambasadorja franceze.
Përmes mënyrës si po trajtohet Berisha po shohim si vepron sot drejtësia në vend. Në 31 dhjetor si në asnjë vend të botës, këtu tek ne kemi një situatë ku na del kryeministri dhe na bën show nëpër emisionet e dëfrimit. Del ministri i Brendshëm dhe na bën show.
Pra në këtë situatë futet opozita në burg e gjitha dhe këtej këta në bëjnë shfaqje si triumfatorë. Kjo është situata për vitin e ri. Do ketë përshpejtim të së keqes për mendimin tim. Ky vit do jetë më i vështirë sa i përket gjësë kryesore në jetët tona, demokracinë dhe lirinë e dinjitetin e njeriut”, u shpreh ai mes të tjerash.