Shpiket mitra artificiale për të shpëtuar foshnjat e lindura para kohe
Duket si një film fantashkencë, por është një shpikje e mjekësisë moderne.
Shkencëtarët kanë arritur të krijojnë një mitër artificiale që mund të jetë shpëtimi për foshnjat e lindura përpara kohe.
Një ekip i Spitalit të Fëmijëve në Filadelfia ndërtoi një ‘qese’ të çuditshme që imiton qesen me lëng amniotik brenda së cilës foshnjat zhvillohen. Qëllimi i mitrës artificiale është që të lejojë rritjen e foshnjave derisa mushkëritë e tyre të formohen dhe të kenë mundësi të furnizohen me ajër.
Foshnjat ndodhen në kufirin ekstrem të paralindjes kur vijnë në jetë në javën e 28-të të shtatzënisë. Ato që lindin 22-javëshe kanë 10% mundësi për të mbijetuar, ndërsa përpara këtij pragu shansi është thuajse zero.
Për të testuar pajisjen e re, ekipi përdori qengja prematurë, të lindur midis ditës së 106-të dhe 113-të që është e barasvlefshme me javën 23-24 të shtatzënisë.
Qengjat u vendosën në mitrën artificiale dhe kordonët umbelikalë u lidhën me një pajisje oksigjeni që pomponte gjak te kafshët siç do ndodhte edhe në formën natyrale. Lëngu i krijuar në laborator i cili imiton lëngun amniotik, e lejonte që të ‘merrte frymë’ normalisht.
Provat rezultuan aq të suksesshme sa ekipi po kërkon miratim që të testojë pajisjen te njerëzit.
“Kafshët demonstruan lëvizje normale ose të shtuar, cikël gjumi dhe zgjimi, frymëmarrje, gëlltitje dhe në përgjithësi dukeshin të qeta”, u shpreh grupi kërkimor. Veç të tjerash, ato patën zhvillim të shëndetshëm të mushkërive, trurit dhe organeve të tjera.
Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) po shqyrton nëse mund të vijohet me testimin te njerëzit.
Një nga dilemat etike është presioni i lartë dhe përjetimi emocional në lindjet e parakohshme që mund t’i bëjë prindërit të mos jenë plotësisht të ndërgjegjshëm për testin. Përfitimet potenciale të pajisjes mund të eklipsojnë rreziqet në lindjet e parakohshme ku ka një shans më pak se 20% për të mbijetuar./tvklan.al