Lajme

Rrëfimi i ushtarit britanik në Kosovë: Gjeta 6 gra të zhveshura, të mbuluara me gjak

Snajperisti britanik, Craig Harrison, në një intervistë për Dodge Wodall, ka rrëfyer për përjetimet e tij të tmerrshme gjatë luftës së Kosovës. Harrison në këtë intervistë ka folur edhe për rëndimin e gjendjes së tij shpirtërore e psikologjike nga tmerret që ka parë pasi ka zbarkuar në Kosovës si pjesë e trupave të NATO-s.

Harrison ka treguar edhe një prej ngjarjeve më tronditëse që ka përjetuar në Kosovë, kur në bodrumin e një shkolle, kishte gjetur 6 gra të zhveshura, gjallë e të mbuluara me gjak, që ishin dhunuar nga ushtria serbe.

“Më kujtohet kur e morën nën kontroll një fshat, e morëm shkollën, dhe duhej të përdornim për qendër kryesore. Por fillimisht duhej ta pastronim. Më kujtohet kur kam shkuar poshtë në podrum dhe po ecja në një korridor të gjatë që ishte në dy anët me dyer.  Në secilën prej këtyre ishte një dyshek i mbuluar me gjak. Dhe në fund të korridorit ishte një derë. Ishte shoku im Roni me mua, i thash më mbulo. E godita derën. Mendoj se ishin 6 gra, të gjitha të zhveshura, gjallë, në këtë dhomë të errët, të mbuluar me gjak që serbët i kishin dhunuar”, ka rrëfyer Harrison.

Ai më pas ka treguar se e ka hequr kapelën e tij ushtarake dhe jelekun e tij, pasi thotë se gjëja e fundit që do të dëshironin të shihnin ato gra ishte një uniformë ushtarake dhe armatim.

Harrison thotë se më pas i ka kërkuar shokut të tij të ushtrisë Ronit që të shkojë të thërras disa ushtarake femra për t’i qetësuar gratë kosovare që i kishin gjetur dhe për t’ua hequr frikën dhe stresin. Gjithashtu ka thënë se kanë përdorur disa mbulojës për t’i mbuluar gratë që i kishin gjetur në atë bodrum.

Snajperisti britanik ka thënë se përvoja në Kosovë ka qenë një tmerr i vërtetë.

Harrison në këtë intervistë teksa pyetet se si do ta përshkruante atë që ka parë në Kosovë, thotë se e shtron pyetjen se si një qenie njerëzore mund t’ia bëjë një gjë të tillë një qenie njerëzore tjetër.

“S’ka fjalë për ta përshkruar” thotë Harrison.

Përveç kësaj, Harrison ka treguar edhe një moment kur kishin hasur në një fushë të minuar diku në Kosovë, ku edhe i kishe gjetur kokat e dy personave që kishin rënë në atë fushë të minuar nga serbët./euronews