“Rama përdorues kryesor i Sky Ecc”/ PD: Ja veprat e porositura prej tij si kapo i grupit kriminal
“Edi Rama është përdoruesi kryesor i aplikacionit të koduar si SKY Ecc”. Kështu është shprehur anëtari i kryesisë së PD-së, Aldo Bumçi në një deklaratë nga selia blu.
Duke iu referuar Allison Guerrera, partneres së Charles McGonigal, Bumçi u shpreh se Rama ka biseda të gjata me McGonigal për veprimet e përbashkëta në pregatitjen e dosjes false për shpalljen nongrata të Sali Berishës.
Po ashtu, sipas Bumçit, në bisedat e Sky Ecc, gjendet e dokumentuar e gjithë veprimtaria kriminale gjobvënëse prej dhjetëra milionë eurosh e këtij grupi ndaj bizneseve në Shqipëri dhe Kosovë kundrejt shantazheve apo premtimeve për futjen ose heqjen e tyre nga lista e zezë e qeverisë së SHBA.
Ai shtoi më tej se në bisedat mes Ramës dhe McGonigal flitet dhe për heqjen e licencave të naftës kompanive që i kishin marrë ato në përputhje me ligjet dhe dhënien e këtyre licencave kompanisë së Deripaskës të përfaqësuar nga vet McGonigal.
“Vetëm ky akt korruptiv Rama-McGonigal i ka kushtuar 40 milionë euro Shqipërisë së paditur në arbitrazh nga kompania që në kundërshtim me ligjet iu hoq licenca për t’iu dhënë kompanisë së Deripaskës.” – u shpreh Bumçi.