Lajme

“Pushkatova veten dhe ty, paska qenë i pabesë or burrë”, bisedat mes dy mjekëve të QSUT-së para arrestimit

Denoncimi i një qytetari ka bërë që dy mjekët e QSUT-së, Nazmi Metaliu dhe Astrit Mansaku të përfundojnë nën hetimin e prokurorisë dhe më pas të përfundojnë pas hekurave, pavarësisht se anekset ligjore arritën t’i nxjerrin sërish dhe të shpëtojnë vetëm me pezullim 3-mujor nga puna.

Dy mjekët i morën para një pacienti për të kryer një skaner jashtë radhës. Së fundmi janë zbuluar edhe bisedat mes tyre, që gjatë një periudhe të gjatë kanë qenë të përgjuar. Qytetari ishte vizituar edhe më parë me Nazmiun, teksa ata lanë një tjetër takim për skanerin.

Foto ilustrim skemë ryshfeti
Foto ilustrim skemë ryshfeti

Pacienti i ka treguar shqetësimet që kishte doktor Metaliut. Ky i fundit i ka thënë se një skaner i trupit do t’i jepte përgjigje për shqetësimet që kishte. Më pas doktori ka thënë se bërja e skanerit me planifikim vonon disa muaj dhe se nëse jep para mund ta bëjë menjëherë.

Pas kësaj, qytetari ka nisur bashkëpunimin me policinë, që daton më 13 janar dhe ka bërë marrëveshje për përgjim. Më tej qytetari shkon me një tjetër person dhe flasin me mjekun për të lënë orarin për skanerin, kjo pasi dhe miku i tij kishte probleme me mushkëritë.

Mjeku i thotë se do të fliste që ta bënin shërbimin me 6000-7000 lekë të reja. Në raportin e shërbimit për ditën e arrestimit më 2 shkurt 2023 rezulton se në orën 10:17 dy qytetarët shkojnë në ambientet e QSUT në Tiranë. Fillimisht takohen me doktor Nazmi Metaliu, bisedojnë për rreth 7 minuta.

Më pas të tre shkojnë në katet e poshtme të pavionit. Në orën 10:20 këta shtetas takohen me imazheristin Astrit Mansaku për të kryer skanerin. Më pas njëri prej qytetarëve futet për të bërë skanerin. Në orën 10:35 dy qytetarët dalin nga ambientet e QSUT-së.

Pas këtij momenti ndërhyn policia në dhomat e skanerit, ku arrestohen mjekët. Në xhepin e përparëses iu gjenden, njërit 5 mijë lekë të reja dhe tjetrit (Nazmi Metaliut) 1 mijë lekë të reja.

Në përgjimet e bëra në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë më 2 shkurt në orën 12:45 mes mjekut Nazmi Metaliu dhe imazheristit Astrit Mansaku rezulton:

Astriti-Nazmiut: A e di çfarë ke bërë ti?

Nazmiu: Kam pushkatuar veten, të kam pushkatuar dhe ty.

Astriti: Ne sikur t’ia bëjmë vetes është tjetër histori, por me ia bërë shokut….

Nazmiu: Pse dua unë me ia bo vetes. Erdhi ai p***i nan*s që e pata bo para dy javësh dhe sa e bo tha, e i thashë…Paska qenë njeri i pabesë or burrë.

Astriti: Kjo është shoqëria mor burrë, kjo është me vra veten, me u var në litar, nuk ke ç’i bo o Naz.

Nazmiu: Më thoshte hajde me mu, me vra veten.

Astriti: As me fol, nuk fol dot ma.

Nazmiu: Se mos ketë ndonjë djall këtë, mos fol, muti i samës erdh tek unë dhe më tha hajde mere një kafe, po lene i thashë unë, po çfarë plehre paska qenë.

Astriti: Po lene atë punë kanë ato sikur ne kemi punën tonë dhe ata kanë të veten. Ai është në rregull me veten, ai për atë punë ka dalë, s’ke pse e shan faji është i joni.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit, për kryerjen e kësaj procedure.