Presideti Begaj urim për 2024: Festë e shpresës! Ta shohim të ardhmen me besim…
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, uroi të gjithë qytetarët me rastin e Vitit të Ri me një video-mesazh të pstuar në Facebook. Ai u shpreh se kjo festë na afron më pranë me njëri –tjetrin.
Begaj tha se viti që lamë pas pati disa zhvillime pozitive duke theksuar forcimin e pozitës së Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë, duke treguar se Shqipwria und tw jetw njw vend factor.
Begaj shtoi gjithashtu se shteti jonë duhet të vijojë rrugën për t’u konsoliduar si shtet i së drejtës.
FJALA E PRESIDENTIT BEGAJ ME RASTIN E FESTËS SË VITIT TË RI 2024
Të dashur bashkëkombas,
Afrimi i vitit të ri përbën një moment të veçantë për të gjithë ne. Është festë e shprehjes së ngrohtësisë familjare e shoqërore rreth tavolinave të mbushura me dashuri.
Është festë e mirëseardhjes dhe e shpresës për të ardhmen, festë që nuk na ndan, por na afron më pranë njëri -tjetrit. Kjo është festa e të gjithëve.
Dëshiroj të ndaj me ju disa reflektime mbi rrugëtimin tonë të përbashkët dhe aspiratat për ardhmen. Viti që lëmë pas pati zhvillime pozitive. Këtu veçoj forcimin e pozitës tonë ndërkombëtare dhe rritjen e reputacionit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë. Treguam se ndonëse vend i vogël, i kemi të gjitha mundësitë të jemi faktor në rajon dhe kontribues për paqen në botë.
Megjithatë, rritja e rolit tonë në arenën ndërkombëtare dhe përmirësimi i imazhit të Shqipërisë, nuk mund të kuptohen pa politika të mira brenda vendit. Këtë vit, miliona turistë vizituan vendin tonë. Në Shqipëri ata gjetën jo vetëm bukuritë e natyrës, por edhe mikpritjen tradicionale të shqiptarëve. Gjithashtu, vijuam angazhimin tonë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Jemi të vetëdijshëm se procesi nuk është vetëm një ushtrim i thjeshtë administrativ, por transformim i thellë institucional dhe shoqëror. Sistemi i drejtësisë, i ka të gjitha mundësitë të jetë mishërues i këtij transformimi. Beteja për shtetin e së drejtës nuk është as e përfunduar as e fituar. Ne kemi ende shumë rrugë për të bërë që shteti ynë të jetë i drejtë dhe transparent. Ndërsa një rrugë më e gjatë është ajo drejt drejtësisë sociale.
Për këto dy aspekte themelore të drejtësisë, asaj juridike dhe sociale, i bëj thirrje të gjitha forcave politike, që pavarësisht dallimeve, t’i japin përparësi interesave të qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe aspirata kryesore për vitin në vijim mbetet shteti i konsoliduar i së drejtës, drejtësi e gjithëpranishme sociale dhe reduktim i polarizimit në shoqëri, politikë dhe ekonomi.
Shprej bindjen se me politika të drejta dhe stimuluese ekonomike, me investime publike të mençura, me koordinim ndërsektorial dhe duke administruar me eficiencë burimet njerëzore, e ardhmja do të jetë më e sigurt dhe begatë.
Të gjithë së bashku duhet të punojmë për të krijuar mundësi të reja, tërheqëse, që të rinjtë të duan ta ndërtojnë jetën e tyre këtu, në atdhe.
Të dashur bashkëatdhetarë,
Dua tu uroj të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, vëllezërve dhe motrave në Kosovë e në rajon një vit të ri të mbarë, të paqtë dhe të begatë.
Më lejoni që në mbyllje të këtij mesazhi të ndalem, te njerëzit e thjeshtë, te punëtorët dhe profesionistët e angazhuar për të mirën personale dhe për të mirën e vendit.
Dua t’ju them se secili prej jush e të gjithë ne bashkë, jemi Shqipëria. Të gjithë bashkë japim kontributin në ndërtimin e një të ardhme më të mire e më të qëndrueshme. Këtë prag viti të ri, le ta shohim bashkërisht të ardhmen me besim te vetja dhe te vendi. Vetëm kështu do të dimë të hapim horizonte shprese.
Gëzuar Vitin e Ri 2024, shëndet e mbarësi në familjet tuaja!