Lajme

Miratohet kërkesa e SPAK për arrestimin e Berishës, reagimi i parë nga PD: Si në kohën e xhaxhit

Vjen reagimi i parë nga Partia Demokratike pasi Këshilli i Mandateve ka miratuar me 6 vota pro kërkesën e SPAK për lejimin e arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Jola Hysaj e ka krahasuar mbledhjen e ditës së sotme me ato të kohës së regjimit komunist ku diktatura Hoxhiste bënte “gjyqe politike”.

Sali Berisha
Sali Berisha

Postimi i Jola Hysajt:

“Këshilli i Mandateve apo Komisioni i Etikës u mblodh sot?

Si në kohën e xhaxhit kur bëheshin mbledhjet e këshillit të lagjes për fletë- rrufenë e rradhës…

U quajtëm kulakë, kush është emri i ri që po na vihet?

Shqipëria është në një nga momentet më kritike të 33 viteve politikëbërje,

Jetojmë në momentet ku E Drejta e Pronës, E Drejta Jetës, E Drejta e Mendimit Ndryshe, E Drejta për të folur haptazi dhe pa frikë po shuhen çdo ditë.

Shkelja me të dyja këmbët e Kushtetutës është precedenti më i frikshëm i 33 viteve të pluralizmit politik.

Ku po shkojmë???”, shkruan Jola Hysaj.

SPAK kërkon dhënien e autorizimit për masë më të ashpër ndaj Berishës, ndërsa më herët është caktuar masa ‘detyrim paraqitje’, masë të cilën lideri demokrat nuk e zbatoi me pretendimin se Prokuroria e Posaçme kishte shkelur Kushtetutën duke mos kërkuar më parë vendimin e Parlamentit. Berisha u vu nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani rreth 15 vite më parë.