Kuvendi i hap rrugë arrestimit të Berishës, reagon PD zyrtare
Partia Demokratike zyrtare ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për t’i hequr imuniteti e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat thuhet se, “deputetët e PD mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia”.
“Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha. Deputetët e PD nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitura nga Edi Rama dhe Sali Berisha për t’i përdorur si argument për t’i ikur drejtësisë. Ata bënë gjithçka për të bllokuar dhe defunksionalizuar drejtësinë por nuk ia dolën.
PD është e vendosur në mbështetjen ndaj SPAK dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjithë ata qeveritarë apo ish qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe përvetësuar pasuritë e tyre. Çdo lloj aleance e dukshme e kullave, apo e padukshme për ti bërë bisht drejtësisë nuk do mund ta mbajë peng PD dhe misionin e saj për t’i dhënë shqiptarëve normalitetin, sigurinë dhe mirëqenien që meritojnë”, thuhet në deklaratën e PD.