Britania, SHBA-ja e BE-ja reagojnë për deklaratën e Bashës: Nuk kemi ndërmjetësuar për Reformën Zgjedhore
“Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, ia kemi dalë të arrijmë një hap të parë modest sa i takon prioritetit kryesor, Reformës Zgjedhore”
Kjo deklaratë e bërë nga Lulzim Basha pas seancës plenare të së hënës ka trazuar jo pak faktorin ndërkombëtar në Tiranë. Tre ambasadat më të rëndësishme në vend, që përfaqësojnë aleatët strategjikë të Shqipërisë, kanë mohuar të kenë ndërmjetësimin për nisjen nga puna të Reformës Zgjedhore. Ambasada Britanike zgjodhi të sqarojë pozicionin e saj përmes një deklarate për shtyp.
“Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar. Kjo është në interesin kombëtar dhe gjithashtu vendimtare për besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe investimeve të huaja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.“
Thirrje për gjithpërfshirje të palëve në procesin e Reformës Zgjedhore ka bërë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të pyetur nga Tv Klan, përfaqësues të ambasadës nuk mohuan takimet e zhvilluara me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshirë dhe Komisionin për Reformën Zgjedhore, por sqaruan se ato nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi mes palëve politike.
”
Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA-ve takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshirë Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim.”
Në të njëjtën linjë ishte edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë.
Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë; vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve.”
Ky qëndrim i faktorit ndërkombëtar vjen në një kohë kur dy bashkëkryetarët e komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj, i kërkojnë kreut të OSBE-së që të asistojë me eskpertët e ttij në komisionin e Reformës Zgjedhore, që pritet të mblidhet paraditen e të premtes.