“Kur fle, lutem të mos zgjohem më”- 90-vjeçarja që jeton mes vetmisë dhe mjerimit
E moshuara që shihni në foton e mësipërme është 90-vjeçarja Drita Cenolli nga fshati Mborje i Korçës.
E moshuara jeton e vetme mes skamjes dhe mjerimit në banesën e saj, ku i mungon ushqimi bazë dhe ngrohja në këto ditë të ftohta.
Në kasollen e saj gjenden vetëm disa mollë të dhuruara dhe një sasi e vogël drush që mund t’i shërbej për ngrohje vetëm për disa ditë.
Gazetari i Euronews Albania, Xhensil Shkëmbi, zhvilloi një bisedë me të moshuarën, e cila mes dhimbjes tha se situata e vështirë e bën që të lutet që kur fle të mos zgjohet më.
Pjesë nga biseda:
Drita, Mirëmëngjes
-Mirëmëngjes për ty o bir, se unë e kam ditë tersi.
Pse Nënë Drita?
-Unë kur shtrihem fle, uroj mos zgjohem o bir. Të më marrë ai lart sa më parë
Nëna sot do të të ndihmoj unë me bidonat. Mi ler mua.
-Të keqen nëna, bëfsh hajër.
Ushqim nuk ke fare sot?
-Kam si jo, kam këto mollët.
Vetëm mollët?
-Epo njeriu nuk do hajë përditë, më dalin mua mollët po he. Kur marr Kempin, marr kulaçka.
Nëna, po mish? Makarona?
-Ku ti gatuaj, këtu në kasolle? Më bëjnë krahët mua?
Nëna, po dru për t’u ngrohur ke?
-Kam, e 14 dru. Një dru në darkë ndez. E 14 ditë kam. Vetëm një dru në darkë ndez, se është lartë Mborja, bën ftohtë këtu ku jam unë.
Nëna, po lekë?
-Vetëm kempin marr. Me sjellin e dy vëllezërit ushqime. Po me vjen zor, nuk ua marr. Kam unë u them, kam.
Nëna, po ti s’ke as drita këtu.
-Çi do dritat Drita o t’u bëftë nëna? Ja hap derën, e hyn drita e diellit.
Nëna, do iki, por do vij prap. Çfarë të të sjell?
-Të keqen nëna, më merr një amitë se më ka vajtur mendja. Kam një vit pa pirë amitë!