Lajme

Konfiskohet një sirenë me gjashtë zmadhues zëri në veri të Kosovës

Policia e Kosovës tha se ka konfiskuar një sirenë alarmi me gjashtë zmadhues zëri në Mitrovicë të Veriut.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Veton Elshani, zëvendësdrejtor i policisë në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.

“Kjo sirenë dhe këta zmadhues zëri kanë shërbyer në periudha të ndryshme kohore për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, tha Elshani.

Në veri të Kosovës – ku jetojnë rreth 50.000 serbë që nuk i njohin institucionet e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytet të vetin – sirenat lëshohen kur strukturat paralele serbe duan të organizojnë ndonjë ngjarje.

Me lëshimin e tyre, serbët lokalë mblidhen dhe dalin në rrugë. Kështu ka ndodhur, për shembull, në rast të protestave të ndryshme apo ngritjes së barrikadave.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar edhe më herët për çështjen e këtyre sirenave, por nuk ka arritur të përcaktojë se kush saktësisht i aktivizon ato.

Përndryshe, shenjat e alarmit në Kosovë janë të rregulluara me rregulloren 18/2013 të Qeverisë së Kosovës për organizimin dhe operimin e sistemit të monitorimit, njoftimit dhe paralajmërimit.