Vrau vëllain pas sherrit për bagëtitë, dënohet me 21 vite burg shqiptari
Gjykata Themelore e Gjakovës ka dënuar me 21 vite burgim, Januz Gashin, personi i cili më 12 qershor të vitit 2021 vrau vëlllain e tij pas një sherri banal.
Në vendimin e dhënë këtë të martë, gjykata zbulon dhe dinamikën si ndodhi ngjarja e rëndë.
Raportohet se Gashi ka qëlluar ndaj vëllait 65-vjeçar në ambientet e oborrit të shtëpisë, ku pas një sherri për bagëtitë ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar nga pas.
Ai u dënua për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar e armëve të zjarrit”
.“I pandehuri J.G., akuzohet se “më 12 qershor 2021, rreth orës 21:25, në fshatin Sopniq të Rahovecit, i akuzuari J.G., në oborrin e shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje rreth disa bagëtive ka privuar nga jeta vëllanë e tij H.G, i moshës 65 vjeçare dhe ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve A.G. dhe A. G.(1)., në atë mënyrë që viktima së bashku me dy djemtë e tij shkojnë në oborrin e të akuzuarit për t’ia dërguar bagëtinë dhe aty pas një fjalosjeje të çastit i akuzuari J.G., e nxjerrë një revole nga xhepi i djathtë i pantallonave dhe atë të tipit “Zoraki”, e me të njëjtën shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, i cili në ikje e sipër qëllohet me dy të shtëna, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse”, thuhet në njoftim.