Arrestohet elektriçisti i OSHEE në Tiranë, u merrte para qytetarëve për t’u instaluar matësat e energjisë
Një 46 vjeçar, elekstriçist në OSHEE, është arrestuar nga Policia e Tiranës dhe akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Gjatë ushtrimit të detyrës, ky punonjës u merrte para qytetarëve që instalonin matësa energjie.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përfitimi”. Si rezultat i këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi:
– B. Ll., 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se 46-vjeçari, gjatë ushtrimit të detyrës si punonjës i OSHEE-së, iu instalonte shtetasve, në ambiente të ndryshme, matës energjie elektrike, kundrejt shpërblimeve të konsiderueshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.