Lajme

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, Foto e Ruben Saraivas në Marok, me pranga në duar pret ekstradimin

Vrasësi i dyshuar i Ardian Nikulajt më 19 prill në lokalin e tij në Shëngjin do të ekstradohet drejt Shqipërisë.

Maroku ka aprovuar ekstradimin e Ruben Saraivës, që pritet të realizohet së shpejti.

Saraiva u arrestua rreth një muaj pas ngjarjes në Rabat të Marokut.

Për të, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin të datës 26 prill ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Për ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarjen që tronditi vendin tetë muaj më parë, kanë rënë në pranga edhe Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman, ndërsa Harry Simpson është ende në arrati.

Financuesit dhe organizatorët në Angli të ekzekutimit mafioz të Ardian Nikulajt përzgjodhën si ekzekutor portugezin Ruben Saraiva.

Prej më shumë se 10 vitesh ai jetonte në Angli. Përzgjedhja jo e rastësishme. Kjo nga e shkuara e tij kriminale dhe përvoja në mbajtjen dhe përdorimin e armëve në kryeqytetin anglez. Skeda e tij personale tregon se Ruben Saraiva gjatë 10 viteve të fundit është përfshirë në krime që lidhen me mbajtjen e armëve të zjarrit pa leje.

Dënimi i tij i parë nga një gjykatë angleze lidhet për armëmbajtje pa leje. Pas daljes nga burgu për këtë vepër penale ai akuzohet dhe dënohet për dëmtime trupore të rënda ndaj një personi. E shkuara kriminale e vrasësit të Shëngjinit, ardhur nga Anglia nuk mbaron me kaq. Sërish në vitin 2017 dënohet për mbajtje arme pa leje. Dënimi i tij i fundit në Angli lidhet me posedim kokaine për qëllime shitje.

Sipas policisë shqiptare Ruben Saraiva mbërriti në Lezhë në muajin shkurt duke qëndruar në fshatin Karriq. Pas vrasjes në 19 prill, ai u largua në drejtim të Greqisë, ku policia shqiptare po bashkëpunon me atë greke për ta kapur, ndërsa vijon të jetë në arrati.