Inaugurohet Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike në Shqipëri: 50% ushtarakë, 50% civilë
Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike, një strukturë e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është tashmë funksionale edhe me mbështetjen e aleatit strategjik të Shqipërisë, SHBA.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, David Wisner si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Arben Kingji morën pjesë në inaugurimin e kësaj njësie që do të luajë një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit.
Ata u njohën nga afër me strukturën dhe funksionin e kësaj njësie, që ka si qëllim menaxhimin e sistemeve të sigurisë kibernetike që mbikëqyrin/monitorojnë, Sistemet e Komunikimit dhe Informacionit të Forcave të Armatosura nga ndërhyrjet e paautorizuara në këto sisteme.
“Kjo është njësia më e re për sigurinë kibernetike. Ky investim është ndarë në tre pjesë, në tre lote. Loti parë është investimi që shikoni këtu, kompjutera, sisteme, serverë, monitorë dhe trajnime që jemi në proces duke i bërë në lidhje me fushën e Cyber-it. Loti i dytë është pjesa për përmirësimin e infrastrukturës aktuale në rrjetin e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe loti i tretë është këshilltari jonë, që do jetë pjesë për tre vjet, duke na mbështetur për sigurinë kibernetike dhe do jetë atashuar pranë Shqipërisë. Këtu është qendra operacionale e sigurisë kibernetike që operojmë 24/7. Edhe natën kemi persona që monitorojnë rrjetin e forcave të armatosur” – shpjegoi një prej punonjësve të njësisë.
Falë teknologjisë më bashkëkohore, që përdoret aktualisht edhe në SHBA në lidhje me sigurinë kibernetike, gjithçka po funksionon si duhet, duke shmangur në kohë çdo tentativë të mundshme për sulm kibernetik.
“Sistemi në kohë reale siguron alerte, të cilat mund të kenë qëllime keqdashëse ndaj sistemeve. Në orët e para kemi parë një tentativë të mundshme, një aplikacion të panjohur, i drejtuar drejt një pajisjeje, e cila ndodhet te Akademia e Forcave të Armatosura dhe që është një pajisje shumë kritike për sistemet e Forcave të Armatosura. Si skuadra e monitorimit, ne bëjmë analizimin bazik të çdo eventi që gjenerohet nga platforma dhe nga analizimi bazik që mund të gjykojmë të gjithë rrjedhjen e informacionit që ka pasur nga tentativat e aktorëve që mund të jenë keqdashës, drejt pajisjeve tona, shikojmë që disa prej tyre janë kategorizuar nga kjo platformë si keqdashëse. Unë si monitorues mendoj që kjo është diçka që mund të jetë kritike për sistemet tona dhe mund të ketë efekte negative, menjëherë këtë e kaloj te skuadra operacionale për një analizim më te detajuar”- detajoi një tjetër punonjës mënyrën e funksionimit të njësisë.
Më pas, Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike realizon edhe kundërpërgjigjen ndaj kërcënimit kibernetik.
Inxhinieri i sigurisë kibernetike shpjegoi se “Rasti konkret që sektori ka dedektuar, ka kaluar te sektori i analizës për një analizim më të detajuar të tentativës, dhe nëse kemi kompromentim të sistemeve tona, ne përdorim një platformë e cila është fjala e fundit e teknologjisë, që përdoret për orkestrimin, automatizimin dhe përgjigjen e të gjithë rasteve dhe incidenteve. Në rastin konkret nuk kanë mundur, pasi kemi sistemet e mbrojtjes që bëjnë bllokimet e gjithë tentativave dhe nuk kemi një kompromentim i sistemeve, por nëse do të ndodhte, kjo çështje do i kalonte sektorit special për një analizim më të detajuara. Masat e para që ky sektor ka bërë është bllokimi i komunikimit me gjithë indikatorët.”
Pranë kësaj njësie do të jetë i atashuar edhe një këshilltar i huaj, i cili do të mbështesë këtë strukturë për 3 vjet për sigurinë kibernetike. Në këtë njësi përdoret teknologjia më e fundit, ashtu si edhe në SHBA, ndaj sipas ekspertëve nuk ka patur asnjë rrjedhje informacioni të Ministrisë së Mbrojtjes.
Nga ana e tij, Peleshi theksoi se synimet janë që kjo njësi të shërbejë edhe si një shkollë për të trajnuar ekspertët, jo vetëm për fushën e mbrojtjes, por edhe agjencitë e tjera dhe pse jo edhe tregun privat.
“Jo vetëm projekti që është shumë i plotë, por ne kemi mundësinë e madhe që në rrjetin e qendrave të inovacionit, të mbrojtjes kibernetike të NATO-s të marrim informacione të vazhdueshme, të kemi trajnime. Ka një qendër të NATO-s në Estoni, ku ne jemi pjesë e saj. Mundësitë janë shumë të mëdha. Është arritur brenda një kohe të shkurtër një standard mbrojtjeje shumë i lartë. Janë shumë të motivuar, janë 50% ushatarkë, 50% janë civilë. Duam ta shtojmë akoma më tej këtë strukturë, ta përdorim si shkollë për të trajnuar ekspertë që mund t’i shërbejnë jo vetëm Forcave të Armatosura, por edhe sektorin privat, sepse në fund të fundit kjo rrit kapacitetet mbrojtëse kombëtare”, tha Peleshi.
Aktualisht, sipas ekspertëve ka çdo ditë 1500 deri në 2 mijë sulme, por asnjë prej tyre nuk është konsideruar kritik. Në njësinë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, e cila përbëhet nga tre sektorë të veçantë punohet pa ndërprerje (24/7).