Arben e Denis Duka: Poezitë që babë e bir i dedikuan njëri-tjetrit para se të vdisnin
Dy dhimbje brenda pak javësh mbërthyen familjen Duka. Në fillim ikja e Arbenit, më pas jeta e këputur në mes e djali të tij Denisit.
Pas vdekjes së babait, Denisi për shkak se jetonte në SHBA, nuk arriti të përcjellte të atin për në banesën e fundit dhe ndoshta ky ishte një nga pengjet më të mëdha dhe goditja vrastare për zemrën e tij të dërrmuar nga humbja e shtyllës së familjes.
Përpara se të ikte nga kjo botë, poeti Arben Duka i ka kushtuar një poezi djalit tij:
arben duka
Arben Duka: Për Denisin
Si pikë e lotit ngjan me mua,
o biri im-Denis,
babai nga vitet u rrëzua,
po ti m’u bëre Lis!
M’u rrite shpejt-si vetëtima,
sa më tani s’të njoh,
në çdo qelizë të qënies tënde,
unë veten time shoh!
Ndaj do të shkoj këtej i qetë,
dhe dheu do më treti,
se shpirti im i gjerë si det,
tek ti i gjithi mbeti.
Kjo s’është Këngë për Lamtumirë,
po ku i dihet jetës,
bëhu në jetë Njeri i Mirë,
dhe Rob i së vërtetës!
Kjo s’është Këngë për Lamtumirë,
po jeta çfarë s’punon,
bëhu në jetë Njeri i Mirë,
se shpirti im të mbron.
Haj-paqe Biri im i vetëm,
më shumë s’kam ç’të them,
po shpirti im ty do të mbrojë,
dhe fare kur mos jem!
Po ashtu edhe i biri Denis Duka i kishte kushtuar babait, Arben Dukës disa javë pas vdekjes së tij.
Denis Duka: Ike Baba
Ike baba në të tjera hapësira,
U ngjite atje, ku shkojnë shpirtat e mira.
E ne na le me këtë kaplim të zi,
Sa e vështirë qenka të jetosh pa ty!
Si Adami i parë, për mua tokën lëkunde,
Si nje vetëtimë verbuese qiellin e shkunde,
E prapë sot të mendoj në të ëmbla kujtime,
Si harta udhërrëfyese, të skalitura në zemrën time.
Dëgjoj një këngë, dhe më shfaqesh ti,
Lexoj një varg, atje je prapë ti,
Të shoh në fotografi, sikur më afrohesh.
Se në shpirtin tonë kurrë s’do harrohesh.
Se për ty s’ka lamtumira dhe fjalë fluturake,
Por veë balada dhe vepra pasionante,
Që me ëndje sot i lexoj e jetoj,
Pasi thelbin tim akoma të sëmurë, dua ta shëroj.
U prehsh në paqe i dashur Baba,
Nëpër diapazone ku dhimbja formë më nuk ka,
Të jesh i lumtur kudo që të jesh,
Atje ku hidhërimi dhe mërzitja s’ka më peshë.
U rilindish prapë si feniks i pasionit,
Nëpër brigje deti nën erën e Jonit,
Por këtë herë pa dallga dhe stuhi,
Trajta jote e pastër u formofsh në qetësi.