Çmontohen 21 kamera në Shkodër, ishin vendosur për të kuptuar lëvizjet e policisë
Policia ka çmontuar 21 kamera në rrugët dhe shtyllat elektrike të Shkodrës. Ato ishin vendosur për të kuptuar lëvizjet e bluve.
Kamerat e vendosura pa leje nga persona apo grupe kriminale kishin për qëllim edhe marrjen e informacionit për lëvizjet e policisë.
Nga të gjitha kamerat, 8 prej tyre ishin instaluar në vende dhe sheshe publike. Pjesa tjetër ishte në aksin rrugor nga rrethrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës.
13 të tjera u gjetën në aksin rrugor nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri te rrethrrotullimi i Dobraçit.
Prokuroria vijon hetimet për identifikimin e personave që i kanë vendosur dhe arsyet e këtij veprimi.